Site icon Telegrafi

Vetëm 1% e elitës botërore zotëron 50.1% të pasurisë familjare në botë

Deri në vitin 2030, një përqindëshi i më të pasurve të botës do të kontrollojnë rreth dy të tretat e të gjithë pasurisë së botës. Ky ishte thelbi i një raporti të hartuar nga Biblioteka e Dhomës së Përfaqësuesve, organizmi i kërkimeve shkencore në Parlamentin britanik.

Elita botërore kontrollon tashmë rreth 50 për qind të pasurisë anembanë botës, por kjo gjë do të rritet ndjeshëm, theksohet në studimin e publikuar e të porositur nga laburisti Liam Byrne.

Nëse trendet e para që prej krizës financiare të vitit 2008 do të vazhdojnë, nënvizohet në raport, i ashtuquajturi ‘njëpërqindëshi’ do të kontrollojë deri në 64 për qind të pasurisë botërore brenda vetëm 12 vitesh.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, që raportoi e para këto statistika, pasuria e një përqindëshit të më të pasurve “është rritur me një mesatare prej 6 për qind në vit, shumë herë më shpejt sesa rritja prej 3 për qind e pasurisë së 99 përqindëshit, apo pjesës tjetër të popullsisë botërore”, që prej krizës financiare.

Nëse ky trend vazhdon, atëherë njëpërqindëshi do të ketë një pasuri të përgjithshme prej 305 trilionë dollarësh, më shumë sesa dyfishi i 140 trilionë dollarëve që kontrollojnë aktualisht në vitin 2018.

“Nëse nuk ndërmarrin hapat për të rishkruar rregullat sesi funksionojnë ekonomitë tona, atëherë jemi të dënuar për një të ardhme që mbetet e pabarabartë në aspektin e të ardhurave. Kjo gjë është moralisht e keqe dhe ekonomikisht shkatërrimtare, duke rrezikuar një shpërthim të ri paqëndrueshmërie, korrupsioni dhe varfërie, shkruan Komisioneri i raportit, Byrne.

Ndërsa, Credit Suisse publikoi një raport, ku theksohej se më të pasurit e botës, ai njëpërqindshëm i familjeve apo individëve, zotërojnë qysh tani mbi gjysmën e pasurisë botërore, e argumentonte gjithashtu se pabarazia po përkeqësohet edhe pas recesionit më të keq global prej thuajse një dekade, që prej viteve 1930.

Shkurt, “Njëpërqindëshi zotëron 50.1 për qind të pasurisë familjare në botë”. /Telegrafi/

Exit mobile version