Që nga 13 marsi i këtij viti, Kosova sikurse edhe shumë vende të tjera të botës është duke luftuar me pandeminë e coronavirusit.
Që nga rasti i parë i konfirmuar në vend me COVID-19, e deri më sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë kryer 20 mijë e 206 teste.
Nga ky numër i të testuarve, kanë rezultuar pozitiv 1916 persona apo 9.48% e të testuarve.
Pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve, po ashtu kemi edhe numër të madh të personave të shëruar. Deri më tash janë shëruar 973 persona nga 1916 të infektuar, kurse kanë humbur jetën 34 të tjerë, shkruan Telegrafi.
Nga këto statistika në Kosovë janë 909 raste aktive. Duke marrë parasysh vendet e rajonit me numrin e të infektuarve, Kosova renditet e pesta.
E para me numrin më të lartë të të infektuarve është Serbia me 12 mijë e 616 të infektuar, Maqedonia e Veriut renditet e dyta me 4 mijë e 664, Bosnja e Hercegovina e treta me 3 mijë e 178, Kroacia e katërta me 2 mijë e 269, Kosova e pesta me 1 mijë e 916, Shqipëria e gjashta me 1 mijë e 788, e shtata në listë është Sllovenia me 1 mijë e 511 dhe e fundit në këtë listë është Mali i Zi i cili ka numrin më të ulët të të infektuarve 337 në total.
Kujtojmë se mbrëmë u konfirmuan 83 raste të reja me coronavirus në Kosovë, ndërkaq ishin të shëruar edhe pesë persona.
IKSHPK ka theksuar se pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.
“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar. Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së. /Telegrafi/