Telegrafi

1 euro SMS në mbështetje të Turqisë pas tërmetit shkatërrues, TUMED me fushatë për mbledhjen e donacioneve  

Shoqata e Studentëve dhe të Diplomuarve në Turqi (TUMED), më datën 20 shkurt 2023 ka filluar një fushatë donacioni për mbështetjen e viktimave të tërmeteve katastrofike që goditi në një masë të madhe Turqinë, ku numri i të vdekurve ka arritur mbi 40 mijë, ndërkaq të plagosurit dhe të pastrehët janë në dhjetëra mijëra.

Në njoftimin për media të kësaj shoqate thuhet se kanë siguruar bashkëpunimin dhe mbështetjen nga Telekomi i Kosovës që do të mundësojë realizimin e këtij donacioni, për përkrahjen me SMS në Republikën e Kosovës e cila planifikohet të jetë një shumë simbolike prej 1 euro.

“Mjetet e grumbulluara do të dhurohen drejtpërdrejtë në institucionin shtetëror Turke, AFAD – Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/