Telegrafi

1.8 milionë euro për zhvillimin rural

Remi Blok, përfaqësues nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, tha se BE-ja është e përkushtuar që të mbështesë zhvillimin ekonomik të Kosovës konform standardeve evropiane.

“Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian është e orientuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ne do të bëjmë përpjekje për të mbështetur të gjithë sektorët, por përparësi do të ketë sektori i zhvillimit rural, sepse ka resurse të shumta të cilat shumë shpejt mund të sjellin krijimin e vendeve të reja të punës dhe të zhvillimit të turizmit rural”, tha Blok.

Deri më tash pesë komuna, Gjilani, Klina, Skenderaj, Shtime dhe Theranda kanë hartuar strategjitë e tyre zhvillimore, ndërsa projekti do të vazhdojë edhe në komunat tjera.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Idriz Vehapi, tha se projekti në fjalë ka për qëllim caktimin e prioriteteve zhvillimore në 30 komunat e vendit.

“Projekti në vlerë 1.8 milionë euro financohet nga Bashkimi Evropian, i cili përmes këtij projekti ka për qëllim mbështetjen e komuniteteve rurale drejt përmirësimit të kualitetit të jetës dhe prosperitetit të komunave”, tha ai.

Ai shtoi se projekti ndihmon aktorët rural të përgatisin strategjitë zhvillimore të bazuara në resurset lokale të identifikuara, që promovojnë partneritetin publik privat.  /Telegrafi/