Telegrafi

1.5 milion euro për vetura luksoze

Shpenzimi i parasë publike për vetura luksoze kritikohet ashpër nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët thonë se gjysma e popullatës përballet me mungesë të ushqimit të mjaftueshëm, ndërsa klasa politike abuzon me fonde publike.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2011, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës, shihet se vetëm niveli qendror gjatë këtij viti do t’i shpenzojë rreth 1.5 milionë euro për blerjen e veturave të reja. Kosto e përafërt e shpenzimeve për qëllime të njëjta parashihet edhe në buxhetin e vitit 2012 dhe 2013, shkruan Zëri.

Hiç më pak se rreth 350 mijë euro për vetura do të shpenzojnë Ministria e Financave, bashkë me Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për blerjen e veturave për misionet diplomatike këtë vit do t’i shpenzojë më se 309 mijë euro, 200 mijë euro në vetura do t’i shpenzojë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për nevoja të gjykatave.

Përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e popullit në Kuvend, deputetët, do t’i shpenzojnë 130 mijë euro për të njëjtin qëllim. Agjencia Kosovare e Pronës do t’i shpenzojë 100 mijë euro për vetura, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale 80 mijë euro dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për blerjen e një veture i ka paraparë 20 mijë euro buxhet këtë vit.

Shoqëria civile ka reaguar duke thënë se në kohën kur Kosova po përballet me varfëri të skajshme, Qeveria po keqpërdorë paratë e po këtij populli. /Telegrafi/