Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nënshkruan sot dy memorandume bashkëpunimi për mbështetje financiare për renovimin e stadiumi të qytetit në Gjakovë dhe ndërtimin e kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit për media, projekti i renovimit të stadiumit kap vlerën e 1.3 milion euro dhe implementimi i tij do të bëhet deri në vitin 2021, ndërsa ai për ndërtimin e kompleksit të tenisit kushton 383 mijë euro dhe do të implementohet gjatë këtij viti.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se nënshkrimi i këtyre memorandumeve për investime në fushën e sportit në komunën e Gjakovës, po bëhet me qëllim të krijimit dhe avancimit të infrastrukturës sportive.
“Ne si Ministri e Sportit mbetemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me gjitha komunat e Kosovës, dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës sportive, sepse kështu krijohen mundësi dhe kushte të volitshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Gjakovës shprehu falënderim të veçantë për ministrin Gashi për nënshkrimin e këtyre memorandumeve, duke e konsideruar këtë veprim të ministri si të shumë pritur për qytetarët e Gjakovës./Telegrafi/