Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizitoi Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku ka parë nga afër punimet për vendosjen e akseleratorit të ri.
Sipas njoftimit për media thuhet se ministri Vitia u njoftua se akseleratori në Klinikën e Onkologjisë është në fazën finale të montimit mekanik.
“Së shpejti do të instalohen softuerët, testimi dhe kalibrimi që të jetë në shërbim të pacienteve më herët sesa afatet e planifikuara. Ky investim është në vlerë të 1 milion e 444 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Me akseleratorin e ri, do të ulen ndjeshëm radhët e pritjes për radioterapinë, duke siguruar trajtimin me akseleratorë të avancuar të gjeneratës së fundit, ku fokusimi i rrezeve jonizuese në inde është i sigurt për organizimin dhe përmirëson cilësinë e trajtimit me radioterapi. /Telegrafi/