Kosovarët po realizojnë fitime më shumë në tregjet ndërkombëtarë në krahasim me ato të vendit. Asetet e sistemit financiar të Kosovës që janë të investuara jashtë vendit janë rritur për më shumë se 10 për qind këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, astetet e sistemit financiar kanë arritur në 1.3 miliard euro.
“Struktura e aseteve të jashtme përbëhet kryesisht nga asetet dhe ekuitetet tjera me pjesëmarrje prej 56.3 për qind, pasuar nga letrat me vlerë me pjesëmarrje prej 18.1 për qind dhe depozitat me pjesëmarrje prej 16.2 për qind. Pjesa e mbetur përfaqësohet nga kreditë që marrin pjesë me 8.9 për qind dhe asetet tjera me 0.4 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, shkruan Tribuna.
Sipas raportit, në kuadër të gjithsej aseteve të jashtme, përjashtuar investimet në asete dhe ekuitete tjera që shënuan rënie krahasuar me vitin paraprak për 3.3 për qind, investimet tjera në sektorin e jashtëm shënuan rritje. “Normën më të lartë të rritjes e shënuan investimet në letra me vlerë (61.2 për qind) dhe kreditë (41.5 për qind). Vlera e gjithsej detyrimeve ndaj sektorit të jashtëm shënoi rritje të konsiderueshme”. /Telegrafi/