Vrasësi i famshëm serial që frymëzoi filmin horror “Wolf Creek” ka vdekur pas më shumë se 20 vitesh burg, pa rrëfyer asnjë nga 7 vrasjet për të cilat u dënua.
Ivan Milat vdiq të dielën në Spitalin Long Bay në moshën 74-vjeçare. CNN 7 News tha se ai ishte diagnostikuar me kancer të ezofagut dhe stomakut në fazën e fundit.
Milat u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1996 për një seri vrasjesh brutale në New South Wales të Australisë.Të njohura si “Vrasjet në shpinë”, të shtatë viktimat ishin burra dhe gra që ishin ose turistë në Australi ose po udhëtonin nëpër zonë.Viktimat u goditën me thikë, u qëlluan ose u rrahën për vdekje, ndërsa një prej tyre iu pre koka.
Mbetjet e dekompozuara të trupit të tyre u zbuluan në një pyll të largët të Belanglo, 138 kilometra nga Sidnei, mes viteve 1992 dhe 1996.
Shtatë viktimat e konfirmuara se u vranë nga Milat ishin britanikët Caroline Clarke, 21 vjeç dhe Joanne Walters, 22 vjeç, çifti Victoria Deborah Everist dhe James Gibson, të dy 19 vjeç, si dhe shtetasit gjermanë Simone Schmidl dhe Gabor Neugebauer, të dy 21, dhe Anja Habschied, 20.
U spekulua se mund të kishte viktima të tjera që nuk u gjetën kurrë.Brutaliteti i vrasjeve të Milat frymëzuan filmin e suksesshëm horror australian të vitit 2005 “Wolf Creek”.
Vrasësi serial u identifikua nga 24-vjeçari britanik Paul Onions, i cili arriti ti shpëtonte armës së Milat. /kp/Telegrafi/