Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka shkruar një letër emocionuese për prindërit e vëllezërve Demaku, të cilët po mbahen në burg.
Veseli në letër thotë se është e vështirë të ngrihesh çdo mëngjes, të shikosh fotografinë e varur në mur të djalit dhe vajzës të rënë në luftë për liri, Xhevatit e Fatimes, dhe të ndjesh mungesën e djemve të tjerë, Nexhatit e Fadilit, të cilët luftuan përkrah tij, por sot nuk janë në liri, për shkak të një padrejtësie të madhe që u bë ndaj tyre, në emër të drejtësisë.
“Vëllezërit e tij, që sot vuajnë padrejtësisht, do të ngadhënjejnë mbi padrejtësinë. Me të vërtetën e tyre të pastër. Me nderin e tyre, të cilin mund ta errësojnë përkohësisht shpifjet e ulëta, por kurrë nuk do të munden ta rrënojnë. Ata do të kthehen! Heronjtë kthehen të fundit nga betejat, e beteja e fundit e jona është beteja për nderin e UÇK-së – beteja për ruajtjen e Kosovës. Ne do të fitojmë, sepse UÇK-ja ishte dhe mbeti deri në fund nderi dhe drejtësia e popullit tonë!”, shkruan Veseli në një postim në Facebook.
Postimi i plotë:
Baca Haxhi dhe Nana Qamë,
Këtë ditë të parë të vitit të ri po e nis me këtë letër. Është për ju të dy. Zgjodha t’jua dërgoj juve, sepse përmes fatit dhe shembullit tuaj jetësor – ju përfaqësoni mijëra nëna e baballarë anekënd atdheut tonë.