Sonte në mbrëmje është rrahur një shqiptar në veri të Mitrovicës, gjegjësisht në sheshin “Mbreti Petar”.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i cili ka thënë se rasti është raportuar në polici në ora 18:20.
Ai pohoi se viktima është një djalë i moshës së mitur dhe është sulmuar nga një grup i të rinjve serbë, deri sa ishte duke shëtitur me një shok të tij.
“Viktima ka qenë duke shëtitur me një shok të tij, kur një grup i serbëve e ka sulmuar fizikisht. I njëjti është dërguar në jug të Mitrovicës për trajtim shëndetësor. Ai ka një prerje në pjesën e mbi bërrylit”, ka thënë Hoti për KosovaPress.
Sipas raportit mjekësor, lëndimi është i natyrës së lehtë, kurse viktima në prezencën e prindërve ka raportuar për rastin në Polici të Kosovës.
Ai pohoi se njësitë policore janë urdhëruar për të identifikuar sulmuesit.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, dyshohet se ai është rrahur nga një grup i quajtur “KM-Forte”.