Në KQZ është regjistruar edhe koalicioni ndërmjet dy partive politike serbe në Kosovë, në mes Partisë Demokratike Progresiste dhe Partisë së Re të Kosovës.
Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste, tha se ky koalicion është bërë me qëllimin e fuqizimit të pozitës së serbëve brenda institucioneve të Kosovës.
“Esenca fillestare e organizimit të tillë që e kemi bërë sonte është një fuqizim të skenës politike serbe, ku jemi absolutisht në favor të fuqizimit të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës. Ashtu siç kemi treguar dhe kemi dëshmuar deri më tani të gjithë ne që jemi këtu, por po ashtu ata që nuk janë këtu për momentin. Një sfidë kryesore dhe një synim kryesor do të jetë fuqizimi i serbëve në institucionet e Kosovës në formë ku serbët autentik të Kosovës do të marrin përgjegjësi dhe do të marrin fuqi që ta vendosim për jetën e vet brenda Kosovës dhe brenda institucioneve të Kosovës”, tha ai.
I pyetur se a beson se do ta mundin Listën Serbe, Rashiq tha se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Kjo nuk do të jetë lehtë sepse kemi një oponent, i cili i përdor të gjitha mjetet e mundshme. Kur po thoni ju Lista Serbe nuk është kjo vetëm si një subjekt politik lokal, por kjo e ka një sponsor shumë i fuqishëm i cili nuk heziton të përdorë të gjitha metodologjitë e mundshme, jo vetëm financiare por po ashtu përdorin shantazhe, dhe në fund dhunë fizike. Prandaj, nuk do të jetë lehtë, por sidoqoftë ne konsiderojmë dhe jemi të sigurt që e bëjmë një punë të mirë ose kemi vendosur që të bëjmë një punë të drejtë. Në aspektin moral, jemi të bindur se është e vetmja mënyrë si mund ta rrisim rolin në institucionet e Kosovës… Problemet kanë nisur, ne inkurajojmë mesazhin e Quintit që kanë thirrur për një vetëdijesim”, tha ai.
Sa i përket bashkëpunimit me partitë shqiptare, Rashiq u shpreh se në këtë moment nuk janë në pozitë që të kenë planifikime të gjata, por që tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha partitë shqiptare që kanë një plan konkret që duhet të bazohet në fuqizimin e serbëve në institucionet e Kosovës./KP/