Mafia italiane dhe organizatat kriminale në Itali, kanë një bashkëpunim operativ të plotë me trafikantët shqiptarë në tregtimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria.
Ky është një nga konkluzionet e arritura nga Raporti Vjetor 2015, i sapo publikuar nga Ministria e Brendshme Italiane, hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Antidrogës ku pasqyrohet aktiviteti e rezultati i arritur nga Policia italiane në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.
“Mafia kalabreze Ndragheta, konfirmohet lideri botëror në trafikun e kokainës, ndjekur më pas nga Mafia napoletane Camora dhe nga organizatat kriminale pulieze që kontrollojnë plotësisht tregtimin e lëndëve narkotike të importuara nga Shqipëria”, thuhet në këtë raport.
Përgjatë vitit 2015 në Itali është regjistruar një rënie e trafikut të hashashit e marijuanës e një rritje e konsiderueshme prej +161% e drogave sintetike dhe substancave në pluhur, Trafiku i kokainës ka shënuar një rritje prej më shumë se 4% në krahasim me një vit më parë.
Në vitin 2015 Policia italiane ka sekuestruar rret h 84 tonë drogë, 94 përqind e të cilës e transportuar në rrugë detare.
Në Raportin e Ministrisë së Brendshme Italiane evidentohet si një evolucion i vitit 2015 zbulimi i një rruge të re të trafikut të drogës, me anë të avionëve të lehtë që shfrytëzojnë pista fluturimi klandestine përtej Adriatikut duke transportuar nga Shqipëria sasi të konsiderushme të bimës kanabis.
E sipas ekspertëve të antidrogës italiane “do të jetë koha e aktiviteti monitorues i Policisë italiane që do të evidentojë nëse kjo rrugë e metodologji e re e transportimit të drogës do të luajë në të ardhmen një rol të rëndësishëm në trafikun e lëndëve narkotike”.
Të dhënat e këtij Raporti konfirmojnë se trafiku i kokainës në territorin italian kontrollohet nga mafia kalabreze Ndragheta në bashkëpunim me organizatat kriminale ballkanike e amerikano-jugore.
Trafiku i heroinës kontrollohet nga mafia napoletane e pulieze në bashkëpunim me organizata kriminale shqiptare e ballkanike.
Trafiku i kanabisit është nën kontroll të plotë nga mafia e rajonit të Lacios, Sicilisë e Puglias në bashkëpunim me grupet trafikante shqiptare, spanjolle e marokene.
Përgjatë vitit 2015 autoritetet italiane kanë denoncuar me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike rreth 10 136 shtetas të huaj, 15, 34 përqind e të cilëve janë shtetas shqiptarë.
1555 shtetas shqiptarë janë arrestuar e denoncuar me akuzën e trafikut të drogës. 1511 janë meshkuj, 44 femra, 19 ende minorenë e 50 janë shpallur në kërkim.
“Organizatat kriminale shqiptare, lexohet në këtë Raport, konfirmohen të kenë një fleksibilitet të fortë e një aftësi të spkatur për të krijuar bashkëpunime me grupe kriminale të etnive të ndryshme në zonën ballkanike, kryesisht janë trafikantë turq, bullgarë e rumunë”.
Ekspertët e antidrogës italiane konfirmojnë në këtë Raport vjetor, se 80% e heroinës në tregun evropian kontrollohet nga organizatat kriminale shqiptare me anë të rrugës ballkanike.
Heroina pasi prodhohet në Afganistan transportohet nga Irani, Turqia, Azia Qendrore. Për shitjen e drogës me pakicë në tregun italian, grupet shqiptare përdorin shtetas ekstrakomunitar si marokenë ose tunizianë.
Kokaina e heroina janë lëndët narkotike kryesore të trafikuar nga organizatat kriminale shqiptare e kryesisht në rajonet italiane të Lombardisë, Emilia Romagna, Toscana, Umbria e Veneto. /Telegrafi/