Telegrafi

​Protesta e 125 e ish – punëtorëve të fabrikës së Tubave

Ish –punëtorët e fabrikës së Tubave në Ferizaj edhe sot janë mbledhur për të 125 – ën herë në kërkim të mjeteve të financiare që ua kanë njohur gjykatat me vendimet e lëshuara.

Ata në vazhdimësi po kërkojnë një takim me kryeministrin Isa Mustafa dhe këtë po tentojnë ta bëjnë përmes organeve komunale të Ferizajt.

Sikurse edhe herëve të kaluara zunë ulëset e sallës së Kuvendit të Komunës dhe nuk kishin plan të largohen pa marrë ndonjë përgjigje se kur mund ta takojnë kryeministrin.

Madje si shpesh herë në tubime të tilla edhe sot u zhvillua debat i nxehtë në mes tyre se kush duhet t’ua zgjidh hallin, komuna apo qeveria, raporton KosovaPress.

Pas dy orësh qëndrimi të këtyre qindra ish-punëtorëve të fabrikës së Tubave në sallën e Kuvendit edhe policia lokale e kërkoi largimin tyre me arsyetimin se në protestën e paralajmëruar me shkrim nuk e kanë specifikuar se do të futen brenda objektit të komunës, por kjo gjë nuk u bëri përshtypje atyre dhe nuk luajtën vend.

Ndërkaq pak para mesditës në takim erdhi drejtori për Urbanizëm Fa ik Grainca i dërguar nga kryetari i komunës Muharem Svarqa për t’u premtuar se nga e hëna e tutje do t’u mundësohet një takim me kryeministrin.

“Po zotohem para jush që të hënën, krerët e sindikatës do ta kenë një takim me kryetarin e Ferizajt,dhe natyrisht këta do të merren vesh për një takim me kryeministrin. Por sidoqoftë të hënën e tutje janë vendimet tjera që do t’i merrni së bashku me sindikatën, ju kisha lutë që deri të hënën t’i prolongoni veprimet e paralajmëruara”, ka thënë Grainca.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës, Ali Azemi, është shprehur se nëse këto premtime nuk realizohen atëherë punëtorët do të radikalizohen në veprimet e tyre.

Ish-punëtorët e fabrikës së Tubave u shprehën të vendosur se nëse edhe këtë javë nuk e takojnë kryeministrin dhe nuk marrin ndonjë përgjigje pozitive për borxhin që duhet tu paguhet , ata paralajmëruan se protesta e ardhshme do të jetë më radikale nuk do të mund të kontrollohet mllefi i të gjithë këtyre ish –punëtorëve të fabrikës së Tubave. /Telegrafi/