Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka reaguar ndaj, sic ka thënë ai, ledhatimit që INPO i ka bërë sot Shpend Ahmetit me publikimin e saj.
Cakolli ka thënë se Ahmeti ka pas nevojë për një “fasadë” të tillë, se i kanë shpërthyer skandalet në 20 ditët e fundit.
“Qysh në fillim të marrjes së mandatit nga Shpend Ahmeti, koordinatori për zyrën e Prishtinës nga INPO, Osman Bllaca, ka kaluar si këshilltar në kabinetin e Shpend Ahmetit, prej nga e ka kontrolluar tërësisht këtë organizatë, duke e kthyer në ”fasaduese” të tij. Kontrollimi i kësaj organizate nga Komuna e Prishtinës është aq i madh, sa edhe raportet monitoruese të tyre i kontrollojnë para se t’i publikojnë”, ka shkruar Cakolli.
Ky është statusi i plotë i sekretarit të PDK-së së Prishtinës:
INPO e paska “ledhatuar” sot Shpend Ahmetin me publikimin për “kënaqshmëritë” e qytetarëve. Ka pas nevojë për një fasadë, se i kanë shpërthyer skandalet këto 20 ditë.
“Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale është 58.37 për qind, ndërsa mesatarja e pakënaqshmërisë 34.23 për qind”, paska konstatuar INPO.
Në tërë përmbajtjen e saj fokusi qenka gati te digjitalizimi i shërbimeve komunale, e cila nuk është meritë e komunave, por e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe MAPL-së.
Tjetër, si pjesë e këtij hulumtimi, të ashtuquajturat intervista qenkan realizuar para zgjedhjeve të qershorit, kurse tash po i bëjnë publike. Pas shpërthimit të skandaleve, kanë shpërthyer edhe pakënaqësitë e qytetarëve, që INPO as nuk do, as nuk dinë dhe as nuk mund t’i masë. Manipulimet më të mëdha që i bëjnë këto OJQ-të që ua mbajnë “zhagun” politikanëve varësisht prej interesave të tyre është pikërisht me kësi “matjeje”, sepse gjithmonë në vend të matjeve profesionale, i matin interesat e veta e thonë pastaj çfarëdo që atyre u leverdisë më shumë!
Qysh në fillim të marrjes së mandatit nga Shpend Ahmeti, koordinatori për zyrën e Prishtinës nga INPO, Osman Bllaca, ka kaluar si këshilltar në kabinetin e Shpend Ahmetit, prej nga e ka kontrolluar tërësisht këtë organizatë, duke e kthyer në ”fasaduese” të tij.
Kontrollimi i kësaj organizate nga Komuna e Prishtinës është aq i madh, sa edhe raportet monitoruese të tyre i kontrollojnë para se t’i publikojnë.
Dilni mateni pakënaqësinë e qytetarëve dhe kënaqësinë e bizneseve dhe dostave të Shpend Ahmetit, ku ndoshta mund ta gjeni edhe ju veten, për klientelizmin, punësimet politike, tenderomaninë dhe korrupsionin në Komunën e Prishtinës – “akrepat e kronometrit” krejt në drejtime të kundërta ju lëvizin!