Site icon Telegrafi

​PD e LSI i kërkojnë Metës të deklasifikojë diskutimet për drogën në Këshillin e Sigurisë

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë kërkuar sot presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta që të deklasifikojë dhe të publikojë informacionet dhe diskutimet e procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të një viti më parë, më 11 nëntor të 2016, për kanabisin.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se “Letra është firmosur nga 7 deputetë të Partisë Demokratike dhe të LSI: Flamur Noka, Myslim Murrizi, Endrit Brahimllari, Isuf Çelaj, Ervin Salianji dhe Xhemal Gjunkshi dhe Luan Rama, të cilët i kërkojnë presidentit që të deklasifikohet dhe të publikohet diskutimi që është bërë për kanabisin në atë mbledhje”.

Në atë kohë, mbledhja u drejtua nga presidenti Bujar Nishani, ndërsa deputetët e PD-së pohojnë se janë dhënë detaje për implikimin e zyrtarëve të Policisë së Shtetit.

Më herët, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili, zhvilloi një takim në selinë e PD me Lulzim Bashën për rreth 30 minuta.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se “në qendër të bisedës ishte qëndrimi opozitar një ditë para seancës plenare, si dhe  koordinimi i aksionit opozitar”.

Exit mobile version