Site icon Telegrafi

​Pas Zikës, vijnë ethet e verdha

Ministria braziliane e Shëndetësisë porositi 11,5 milionë vaksina kundër etheve të verdha, pasi vendi po përballet me shpërthimin më të rëndë të kësaj sëmundjeje që prej vitit 2000.

70 raste, përfshirë 40 viktima, janë konfirmuar zyrtarisht, kryesisht në zonat rurale në shtetin e Minas Gerais. Më shumë se 300 raste të tjera po hetohen. Autoritetet braziliane kanë rekomanduar që vaksinat të përdoren nga persona që udhëtojnë në Minas dhe zona të tjera ku ka infektime të konfirmuara.

Ethet e verdha janë një sëmundje që mund të rezultojë fatale dhe transmetohet nga mushkonjat. Shumica e territorit të Brazilit konsiderohet si zonë me rrezik të lartë nga ethet e verdha, megjithëse vitet e fundit janë shfaqur shumë pak raste. Guvernatori i Minas Gerais, i përballur me epideminë, shpalli gjendjen e emergjencës në këtë rajon.

Mediat braziliane thonë se tre raste janë konfirmuar edhe në Sao Paulo, në shtetin më të populluar në Brazil, si edhe në Espiritu Santo dhe Bahia, që të dyja në kufi me Minas Gerais. Sipas autoriteteve, 5 milionë doza të vaksinës janë dërguar në 5 shtetet më problematike, ndërsa 6 milionë të tjera do të mbërrijnë së shpejti në vend.

Ekspertët thonë se nuk është e qartë çfarë e shkaktoi shpërthimin e sëmundjes dhe paralajmërojnë se pa u zbuluar shkaku, vaksinat janë vetëm një masë modeste parandaluese, ndërsa sëmundja rrezikon të përhapet në zonat urbane.

Exit mobile version