Komisionerja evropiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom paralajmëroi SHBA-në se Brukseli do të konsiderojë çdo tarifë shtesë mbi importimin e automjeteve të saj si një “akt jomiqësor”.
“Nëse presidenti Donald Trump e aplikon këtë kërcënim, ne do të kundërpërgjigjemi”, theksoi ajo në një intervistë të publikuar sot në gazetën gjermane “Die Zeit”.
Kjo intervistë u publikua vetëm pak orë para se Malmstrom të takohej në Uashington me përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Robert Lighthizer.
Dy palët kanë punuar për krijimin e një udhërrëfyesi për të arritur një marrëveshje në të ardhmen, që kur Trump dhe presidenti i Komisionit evropian, Jean Claude Juncker u takuan në korrik për të ulur tensionet tregtare. /kp/Telegrafi/