Telegrafi

​LDK voton vetëm Projektligjin e demarkacionit dhe deklaratën e dy presidentëve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk mund të mbështesë ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet Ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Deklaratën politike të Presidentëve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përbëhet nga dy nene të Marrëveshjes së gushtit 2015, dhe do të votojë PËR këtë Projektligj vetëm me këtë përmbajtje.

LDK-ja nuk mund të mbështesë Ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej në njoftim theksohet se LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe mosratifikimii saj deri më tani, e mbajti vendin tonë të izoluar dhe larg perspektivës evropiane.

“LDK-ja do të vazhdojë të mbështesë perspektivën dhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/