Pas takimit në mëngjesin e sotëm mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për mundësitë e koalicionin parazgjedhor, pasdite kanë vazhduar diskutimet në nivelin e nënkryetarëve, mes Glauk Konjufcës dhe Lutfi Hazirit. Por, pa ndonjë rezultat konkret.
Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, derisa nuk ka dhënë detaje për diskutimet që janë zhvilluar.
Manxhuka është shprehur se ata janë të gatshme për marrëveshje, por pa kushtëzime. Ai ka kërkuar nga LDK-ja që mos t’i vendosin para akteve të kryera, por të koordinohen.
“Vetëvendosje është e gatshme për marrëveshje, nëse LDK nuk na vendos para akteve te kryera. Nuk na duhet kushtëzim, por koordinim, prandaj duhet të heqin dorë nga kushtëzimet. Edhe vete sekretari organizativ i LDK, Abrashi, lexuam në media se e kishte pranuar që janë ngutur me vendimin që e kanë marrë për të nxjerrë kandidatin. Veprimet e ngutshme e pengojnë bashkëpunimin”, tha ai.
Lidhja Demokratike Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka disa ditë që janë duke diskutuar për mundësitë e koalicionit parazgjedhor, por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje që të shkojnë bashkë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ndryshe, nesër në ora 24:00, është afati i fundit për koalicione parazgjedhore.