Vetura “Venturi VBB-3” është makina elektrike më e shpejtë në botë duke arritur një shpejtësi maksimale prej 576 kilometrash në orë, njoftoi sot prodhuesi francez i automobilave Venturi.
Modeli VBB-3, që do të thotë “Venturi Buckeye Bullet”, arriti një shpejtësi mesatare prej 549,43 kilometrash në orë në një distancë prej 1,6 kilometrash, një tjetër rekord që pritet të analizohet edhe nga Federata Ndërkombëtare e Automobilave (FIA).
Këto rekorde u vendosën në shtetin amerikan të Juta-s, në liqenin prej kripe të Bonneville, pranë qytetit Salt Lake City. Në timon ishte piloti amerikan Roger Schroer.
Vetura VBB-3 është prodhuar në vitin 2013 nga Venturi dhe Qendra e Kërkimeve të Automjeteve në Universitetin e Ohajos dhe priste prej tre vitesh të vendoste rekorede të reja mbi këtë shkretëtirë prej kripe me kushte perfekte për këtë lloj makine me performancë ekstreme.