Mesjava që vjen do të jetë e ‘nxehtë’ për futbolldashësit shqiptar, veçmas ata të Kosovës.
Përfaqësuesja jonë në futboll, të enjten mbrëma në ‘Loro Boriçi’ do të përballet me Kroacinë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës ‘Rusi 2016’.
Kjo super ndeshje tejet e rëndësishme, sidomos për Kosovën, po pritet më kureshtje të madhe në vendin tonë.
Djemtë e Albert Bunjakut i pret një ndeshje e madhe, sepse përballë do ta kenë njërën ndër fuqitë e futbollit botëror siç është Kroacia.Stadiumi ‘Loro Boriçi’ në Shkodër pritet të jetë i mbushur i teri në përkrahje të djemve të Kosovës, të cilët bënë paraqitje mjaft të mirë në sfidën debutuese kundër Finlandës (1-1).
Tifozët e shumtë të Kosovës, shumica nga ta tashmë biletat i kanë në xhep dhe të gatshëm për të udhëtuar drejt Shkodrës në mbështetje të përfaqësueses sonë.
Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se Kroacia është favorit në këtë ndeshje, por ata presin paraqitje të mirë të skuadrës sonë.
Burim Hoxhaj, një qytetarë i Kosovës i ka thënë KosovaPress-it se skuadra kroate është favorit, por ai pret lojë të mirë nga Kosova.
“Normal që na jena për Kosovën. Kroacia është më e fortë, ama normal që kena qejf me fitua Kosova”, ka thënë Hoxhaj.
Ahmet Kurtolli qytetarë i Kosovës, njëhërit nënkryetar i FC Prishtinës, e pranon se Kroacia është kundërshtar i vështirë, por sipas tij, ekipet nga një herë din të befasojnë.
“Është një ndeshje shumë e vështirë. Kroacia ka disa emra të mëdhenj të futbollit, do të jetë një sprovë për ne, por ekipet nganjëherë dinë me befasu, në këtë rast është Kosova ajo që kisha dashtë me befasuar dhe me fitua. Në prognozë s’di çka të them”, tha ai.
Ndërkaq, Albert Berisha, një tjetër qytetarë mendon se Kosova do ta fitojë ndeshjen. Ai është i bindur se Kosova do të marrë rezultat pozitiv.
“Besoj se Kosova do të fitojë, ka një përgatitje mjaft të mirë, besoj që ka me marrë rezultat pozitiv”, ka theksuar Berisha.
E Adnan Halili thotë se një barazim kundër Kroacisë do të ishte i mirë për Kosovë, sepse sipas tij, për fitore nuk mund të shpresohet shumë.
“Po mendoj që Kosovë-Kroaci, nuk është diçka shumë e jashtëzakonshme për krahasim, sepse Kosova veçse ka filluar dhe më një futboll shumë të mirë. Mendimi im është se edhe një barazim për Kosovën ka më qenë shumë mirë, për fitore nuk mundemi me shpresuar aq shumë”, ka pohuar ai.
Kurse, Ahmet Leci një tjetër qytetarë thotë se është e rëndësishme që Kosova po merr pjesë në kualifikime. Ai e pranon se Kroacia është shumë e fortë.
“Me rëndësi është që po merr pjesë, pjesëmarrjen e saj që e këna prit shumë, edhe pse Kroacia është shumë e fortë, te shohim”, ka thënë Leci.
Ndërkaq, Enver Haradinaj, qytetarë dhe njëkohësisht pjesë e sportit të notit, thotë se topi është i rrumbullakët dhe nuk dihet se kush e fiton ndeshjen. Ai shpreson në një barazim, edhe pse Haradinaj thotë se Kroacia është fuqi botërore në futboll.
“Si thonë popullorçe topi është i rrumbullakët, aty nuk dihet kush fiton, por mendoj që barazimi do të ishte në favor tonin edhe pse kroatët dihet që janë fuqi botërore në futboll. Mendoj që është më rëndësi që loja të shkojë në rregull nga të dy palët se edhe kroatët unë o mendoj miq të mëdhenj dhe kuptohet që Kosova kisha pas dëshirë që të fitojë, por edhe barazimi do të na gëzonte të gjithëve”, ka theksuar ai.