Site icon Telegrafi

​Haradinaj: Vuçiqi nuk e ka vetëm për taksën

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj thotë se para ardhjes së tij në pushtet, Policia e Kosovës ka qenë pa përkrahje, pa buxhet dhe pa orë të kompensuara. Për çka pohoi se për shumë pak kohë u ka dhënë mbështetje dhe fuqizim.

Ai para përkrahësve të tij në Prishtinë, ku paraqit me plis të bardhë, tha se sot po bashkohen në Prishtinë për familjen evropiane dhe euroatlantike.

“Nëse duam një Kosovë që është shtëpia jonë, por që është e sigurt, që e ka pragun e sigurt atëherë pra votojmë për koalicionin AAK-PSD. Pse? Ky koalicion si ka ditur që të bëjë ushtrinë, din me ec përpara edhe me fuqizu Kosovën, me qenë e aftë për mbrojtje, me mbrojt vetën. Sepse kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës më të re, por është edhe ushtria më moderne në rajon. Nëse duam me qenë në planin e sigurimit, ashtu siç duhet dhe në rend e ligj, atëherë dua të ju tregoj, që vetëm gjatë kohës sa shkoj e kemi forcuar Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës është më e forta në rajon, ju siguroj se PK është më e mira në rajon”, tha Haradinaj.

Haradinaj në këtë tubim elektoral ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk e ka problemin me të, vetëm për shkak të taksës së vendosur në fillim të vitit.

“Vuçiqi nuk e ka vetëm për taksë, që po thotë se nëse fiton Haradinaj prapë, e patë puna. Ai ka përcjellë veprimet një nga një. Ai e ka parë që ne jo vetëm që kemi forcuar sigurinë tonë, pra aftësinë që të jemi të sigurt dhe që të mbrohemi, e kemi forcuar edhe shtetin ligjor dhe e kemi forcuar ligjin. Ligji zbatohet në veri, jo më të dërgohen doganierët me helikopterë, por shkojnë për tokë ashtu siç duhet”, deklaroi Haradinaj.

E, kreu i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti tha se si koalicion kanë pesë zotime qeverisëse gjatë mandatit të tyre.

“Ne sot para jush kemi pesë zotime. Zotimi i parë është në katër vitet e ardhshme koalicioni PSD-AAK garanton 100 për qind territorin e Kosovës. Nuk ka Kosova as tokë për të dhënë, e as pushtet me nivele të treta qeverisëseje, apo krijesa të tjera. Numri 119, e garanton se asnjë metër të territorit tonë nuk do të japim. Zotimi ynë i dytë është 100 për qind zhvillim ekonomik, ne jemi zotuar se do të krijojmë Fondin Zhvillimor me paratë e Kosovës, me pasuritë e Kosovës, të cilat do t’i shfrytëzojmë për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe për të zëvendësuar importet edhe për të rritur eksportet. Rritja ekonomike deri në fund të mandatit do të mbërrijë tetë për qind”, u shpreh Ahmeti.

Krahas kësaj, ai tha se zotohen edhe për 100 për qind siguri sociale, sigurime shëndetësore dhe për taksë 100 për qind deri në njohje.

Ahmeti mes tjerash u zotua se do të rinovojnë pjesën e djegur të Pallatit të Rinisë, sallë që 15 vjet ka mbetur pa investim, e po ashtu edhe ndërtimin e sallën koncertale.

Kryetari i PSD-së ka thënë se presioni dhe rreziku për dhënien e territorit të Kosovës, nuk ka përfunduar.

“Unë i kam parë edhe subjektet e tjera kur ka pasur presione e tilla. Ju e dini se si ka vepruar Lidhja Demokratike e Kosovës, e si ka vepruar dhe si vepron Partia Demokratike e Kosovës. E kam thënë shumë shpesh, kur erdh puna që të thuhet se kush e ka qitur taksën, nuk i zijke kamera, “unë e kam qitur taksën, unë e kam qitur taksë”, kur erdh puna e presionit nuk i ka zënë dera, duke thënë Ramushi e ka qitur, Ramushi e ka qitur. Nuk lëvizin qëndrimet pse ndërrohen presionet, e pse dikush na thotë se tash duhet të zmbrapseni. Ne e kemi interesin e shtetit të Kosovës, numrat e tjerë mund t’i gaboni”, ka deklaruar Ahmeti.

Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate në këtë tubim tha se sot kur edhe pak ditë kanë mbetur deri në përfundim të fushatës zgjedhore, ky tubim i përngjan në kohën e vitit 2014.

“Koalicionin me AAK-në arritëm Video “Ishte viti 2010 qytetarë, Kosova sapo ishte shpallur pavarësia, pra dy vjet më vonë, Kosova qeverisej nga një subjekt, dhe Prishtina nga një subjekt tjetër. Sot nëntë vite më vonë po dëshiroj që të kujtoj atë kohë, po dëshiroj të kujtoj vitin 2010, dhe vitin 2014 kur së bashku me Shpendin e kthyem Kosovën në binarë të duhur, po dëshiroj të kujtoj vitin 2018 kur ishim në dy pole të kundërta, kryeministri Haradinaj ishte në pushtet. Ne si Parti Socialdemokrate në opozitë dhe paramendoni prej dy poleve të kundërta arritëm që të bëjmë ndryshim, dhe punë të mira për vendin, arritëm me u besatu në guxim dhe nder në përkushtim dhe dije”, tha Sejdiu.

Ndryshe, nesër do të përfundojë fushata zgjedhore për partitë politike, derisa të dielën do të mbahet procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale.

Exit mobile version