Site icon Telegrafi

​Haradinaj: E kemi rikthyer sovranitetin pasi ishte zhvendosur në dialog

Kryetari i AAK-së, i cili është edhe kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar sot se do të jetë i gëzuar kur përqindja e punësimit në Kosovë do të bie në 4-5 përqind, ashtu siç është në vendet e zhvilluara.

Haradinaj i bëri këto deklarime në një takim që kishte me një numër të të rinjve të Ferizajt, që i janë bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj pohoi se qeveria e vendit duhet të krijojë dhe ofrojë vlera të reja, për të cilën ai u zotua se do ta arrijnë.

“Krejt jeta është krijim, duhet me krijuar një vlerë të re. Në vitin 99-të është krijuar liria, në vitin 2008 vlera e re ishte shteti. Tani vendimmarrësit në Kosovë, qeveria, çdo herë duhet me synuar krijim të vlerës së re. Por kornizën, apo si më thënë normën, si me krijuar atë vlerë të re, e kemi në Kushtetutën tonë, pra në vendimin e 17 shkurtit 2008”, tha Haradinaj.

Haradinaj po ashtu ka folur për të arriturat që e qeverisë së tij, duke filluar nga taksa, për të cilën tha se e ka më në qejf, pastaj Ligjin për ushtrimin, fillimin e prodhimit në energji dhe shmangia e kolapsit energjetik, statuti i Trepçës, zonat ekonomike, Ligji për investime strategjike, Ligji i pagave, Ligji për Prishtinën, përmbushja e kritereve për liberalizim. Po ashtu ai tha se Buxheti ka avancuar në masë dhe është investiv. “Ajo që ndodhi sot, pavarësimi energjetik, pra Kosova nuk ka qenë e pavarur, është një nga lajmet më të mëdha për Kosovën, pra jemi sot etnitet në vete. Njohja e statutit të viktimave seksuale. Ligji i statusit të punëtorëve arsimor për vitet e 90-ta, së fundi edhe shpëtimi i Telekomit nga rreziqet e kontratave që e bankrotojnë”, tha Haradinaj.

I pari i AAK-së, tregoi se është rritur në 30 përqind prodhimi në vend, ndërsa numri i të punësuarve është rritur në 18 përqind.

“Ju siguroj që ka deri në 30 përqind rritje të prodhimit në Kosovë. Kalkulohet në mënyra të ndryshme, pro deri në 30 përqind prodhimi vendor është rrit. Minimum, 18 për qind numri i të punësuarve në Kosovë është rrit”, tha Haradinaj dhe pohoi se do të jetë i gëzuar kur përqindja e punësimit në Kosovë do të bie në 4-5 përqind, ashtu siç është në vendet e zhvilluara.

I pari i qeverisë shtoi se e arritura më e madhe e qeverisë së tij është kthimi i sovranitetit që ishte zhvendosur në dialog.

“E kemi pas dikur sovranitetin, por ka qenë i zhvendosur në dialog, pra prapë e kemi krijuar sovranitetin, atë që e kemi zhvendosur diku, e kemi rikthyer”, tha Haradinaj.

Në vazhdim të aktivitetit, Haradinaj ua ndau librezat të rinjve që janë anëtarësuar në AAK./kp/Telegrafi/

Exit mobile version