Telegrafi

​Haradinaj dhe Veseli: Lekë Zherka i dha shumë gazetarisë

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të gazetarit Lekë Zherka.

Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Leka, bashkë me shumë kolegë të tjerë, vendosi bazat e para të gazetarisë profesioniste në Kosovë.

“Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Lekë Zherka. Leka, bashkë me shumë kolegë të tjerë, vendosi bazat e para të gazetarisë profesioniste në Kosovë dhe edukoi shumë gjenerata në këtë frymë, në mediumet ku punonte. Ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe miqve. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, Lekë, ka shkruar Haradinaj.

Lexo po ashtu Ka ndërruar jetë gazetari Lekë Zherka

Kurse, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka shkruar në Facebook, se Lekë Zherka ishte njëri prej njerëzve që i dha shumë gazetarisë në Kosovë.

“Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë. Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë.

Ngushëllime familjes dhe miqve për vdekjen e hershme të tij”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.