Site icon Telegrafi

​De Biasi: Ndryshimi mes nesh dhe Spanjës është si të shkosh nga Toka në Hënë

Kombëtarja shqiptare pret këtë të diele në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Spanjën në përballjen e radhës për kualifikueset e Botërorit 2018.

Kuqezinjtë vijnë në këtë sfidë si kryesuesit e Grupit G me 6 pikë të plota duke i lënë pas iberikët me 2 pikë më pak.Trajneri De Biasi, në një intervistë për të përditshmen spanjolle “AS”, tha se shpreson që futbollistët e tij të bëjnë të njëjtën paraqitje si në Francë.

“Shpresojmë që edhe ndaj Spanjës të kemi po atë rendiment të lartë si në Europian edhe pse unë besoj se tashmë ai aktivitet i përket së shkuarës. Duhet të jemi të përulur dhe të përqendruar. Megjithatë, edhe kështu diferencat janë të mëdha. Ndryshimi mes nesh dhe Spanjës është si të shkosh nga Toka në Hënë apo si lufta mes gurëve dhe armëve kallashnikovë”, tha De Biasi.

Lexo po ashtu Lamet e fundit nga kombëtarja shqiptare para ndeshjes me Spanjën

I pyetur nëse Shqipëria mund të shkaktojë befasinë në këtë grup të vështirë, De Biasi u përgjigj me maturi.

“Për ne është më e vështirë të bëjmë historinë siç ndodhi këtë vit. Grupi është shumë i vështirë. Ajo që është më e rëndësishme është të luajmë kundër Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtejnit. Në përballjet ndaj Spanjës apo Italisë nuk kemi se çfarë të humbasim. Do të thoja që Spanja ka 40 % mundësi që të përfundojë e para në grup, po aq sa edhe Italia, ndërsa për pjesën tjetër do të jetë një betejë mes 4 skuadrave të tjera”, tha De Biasi. /Telegrafi/

Exit mobile version