Telegrafi

​Basha: 85% e shqiptarëve treguan dje se duan ndryshimin

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një konference të mbajtur sonte në selinë blu, ka pohuar se 85% e shqiptarëve treguan dje se duan ndryshimin.

Basha ka thënë se dje pa pasur pamje të trishta se si detyrohen të moshuarit e invalidët të votonin.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:

“85% e shqiptarëve treguan dje se duan ndryshimin. Shqiptarët e sfiduan, e izoluan dhe e bënë Ramën t’i binin djersë të ftohta. Dje ju më të bashkuar se kurrë, jo rreth një partie politike, por rreth vlerave për të cilat qëndrojmë si komb, vlerave europiane, lirisë dhe demokracisë, hapet rrugën për t’i kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur të çdo shqiptari. Marrëzia e 30 qershorit tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë Edi Rama për pushtetin e tij. Pamjet drithëruese të të moshuarve që i mbanin nga krahët për të shkuar me detyrim në votime. Pamjet e trishta të invalidëve, të pamundurve që duhet të bëheshin pjesë e farsës për bukën e gojës. Pamjet e punonjësve të administrates që votonin me kokën ulur nga dëshpërimi.

Pamjet e të fortëve që kërcënonin me uniforma policie apo mbështjelle me petkun e pushtetarëve janë pasqyra më e qartë e degradimit të këtij regjimi. Kombinimi i përdorimit të krimit dhe presionit të pushtetit për vota është pamja e zgjedhjeve shqiptare me Edi Ramen, e faktuar me parë nga Dibra, në Durrës dhe përsëri dje, në të gjithë Shqipërinë. 85% e shqiptarëve refuzuan regjimin e grabitjes dhe dhunës. 85% e shqiptarëve dje refuzuan Edi Ramën 85% e shqiptarëve treguan dje se duan ndryshimin.

Jo ndryshimin e thjeshtë politik, “ik ti e te vi unë”, por ndryshimin e vërtetë që nis me ndryshimin e sistemit, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, garantimin e votes dhe fuqizimin e saj. 85% e shqiptarëve, demokrate, socialiste, të pa parti treguan dje se duan ndryshimin që kurrë më krimi të mos diktoje politiken, kurrë më kriminelët të mos vendosin për deputete e kryebashkiake, kurrë më krimi të mos ulet në parlament e të zë vend në qeverisje, kurrë më punonjësit e administratës të mos poshtërohen, duke u përdorur për të mbushur mitingjet partiake apo të kërcënohen me vendin e punës për votën, kurrë më mos të kushtëzohet vendi i punës, buka e gojës, ndihma ekonomike apo pensioni nga vota. Dje dështoi plani i Edi Ramës për votime njëpartiake. Shqiptarët e refuzuan totalisht, atë dhe mercenarët e tij. Shqiptarët e sfiduan, e izoluan dhe e bënë t’i binin djersë të ftohta.

Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon. 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme./Ora News/