Telegrafi

​Aktakuzë ndaj të pandehurit që shkaktoi aksident me fatalitet në Pejë

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, E.B., për shkak të veprave penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 378, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe 1, të KPRK-së, dhe veprën penale “Mos dhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, nga neni 382, paragrafi 3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.B, me datën 13 prill të këtij vitit, rreth orës 02:00, në rrugën “Selman Lajçi” në Pejë, shkel ligjin për rregullat e trafikut, duke i shkaktuar vdekjen të ndjerit A.C, në atë mënyrë, gjersa i pandehuri E.B., ishte me veturën e tij duke qarkulluar në rrugën e lartcekur, nuk përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe i njëjtit me pjesën e përparme të veturës e godet këmbësorin A.C, duke e hedhur 4 metra jashtë rrugës, i cili nga goditjet e marra ndërron jetë, ndërsa i pandehuri E.B., largohet duke mos u ndalur fare në vendin e ngjarjes.

Në njoftimin e bërë nga Prokuroria, thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor sipas ligjit, dhe gjithashtu ka kërkuar shqiptimin e dënimit plotësues, marrjen e patentë shoferit./Telegrafi/