Site icon Telegrafi

​Ahmeti: PSD do të jetë një prej forcave kryesore politike, do të bashkëpunojmë edhe me VV-në

Kryetari i Prishtinës, ndërsa tashmë edhe kryetar i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, tha sot se partia që ai udhëheq do të jetë një prej forcave kryesore politike në vend.

Ahmeti në një konferencë për media tha se prioritet për të mbetet qeverisja e komunës së Prishtinës.

“Për mua komuna është prioritet, e kam thënë gjithmonë, vazhdoj ta them,. . Unë jam kryetar komune. Këtu e kam mandatin nga qytetarët për të qeverisur me komunën e Prishtinës. Ka mjaftueshëm punë dhe këtë do ta konsideroj prioritet. Megjithatë PSD tashmë është një forcë parlamentare me dymbëdhjetë deputetë dhe dy komuna, përfshirë këtu dhe Prishtinën dhe Kamenicën, që na bënë një prej subjekteve kryesore në vend. Andaj besoj që  do të luajmë rol tepër të rëndësishëm, posaçërisht këtë vit duke marrë parasysh dhe temat të cilat po zhvillohen. Por unë besoj që dhe në të ardhmen PSD do të jetë një prej forcave kryesore në vend”, tha Ahmeti.

Ndërsa thotë se nuk ka arsye që në Kuvendin Komunal të Prishtinës të ketë bllokadë dhe se parasheh vetëm diskutim të mirëfilltë, demokraci  dhe kalim të propozimeve të mira.

I pyetur për mundësi të riformatimit në komunë pas zhvillimeve të fundit, ai tha se nuk do të ketë ndryshime dhe se është shumë i kënaqur me punën e drejtorëve, të cilët vijnë nga radhët e VV-së.

“Nuk e di varet dhe nga marrëveshja që do të ketë. Jam tepër i kënaqur dhe me punën që bëjnë drejtorët Vitia, Nora në kadastër dhe Ylli në kulturë. Sipas meje nuk ka kurrfarë arsye, që kjo të ndërpritet. Në qoftë se ata mendojnë ndryshe, atëherë është zgjedhje e tyre. Por nga ana ime nuk ka ndryshime”, tha Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës shprehet i hapur për bashkëpunim me ish-kolegët e tij nga Vetëvendosje. Madje thotë se ata së bashku duhet ta luftojnë të keqen që po i ndodh vendit dhe jo që ta kthejnë luftën kundër njëri tjetrit.

“Unë jam i gatshëm dhe i hapur për bashkëpunim. Nuk është ideja dhe qëllimi tash për këtë arsye ka qenë dhe arsye kryesore pse kam pranuar të jem kryetar i PSD me idenë që  nuk po mendoj që është mirë që fokusi  i dyja grupeve të jetë sulmi ndaj njëra tjetrës. Me të vërtetë mendoj që nuk ka asgjë abnormale që dikush të mos pajtohet me dikë tjetër, të vazhdoj rrugëtimin e tyre. Por duke marrë parasysh që deri dje kemi rrugëtuar bashkë dhe po ashtu jemi forca, të cilat pajtohemi në disa pjesë të programit, natyrisht se ka dhe disa pjesë që nuk pajtohemi dhe për këtë arsye ka ndodhur ndarja . Por do të ishte mirë që të mos bëhet qëllimi kryesor lufta ndaj njëri tjetrit… Nëse synimi jonë është ndërrimi i Qeverisë atëherë më mirë është me luftu dhe me kthy luftën kundër të këqijave që ndodhin në vendin tonë, sesa kundër njëri tjetrit. Pra do të jem bashkëpunues, në frymën e bashkëpunimit sa më shumë që kemi mundësi. Besoj dhe shpresoj se nuk do të ketë inate personale”, tha ai.

Ahmeti ka komentuar dhe takimin që ndodhi një ditë më herët mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kancelares Angela Merkel. Thotë se për të ecur para duhet të jenë më serioz në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Po shihet një iniciativë shtesë si duket ka të bëjë me kushtin e  fundit numër 95 për luftimin e korrupsionit. Por nuk mund t’i mashtrojmë, as t’i qesim hi syve as BE dhe as shteteve si Gjermania . Ata e dinë saktë dhe qartë, çka do të thotë lufta ndaj korrupsionit. Ne do ta shtojmë presionin që kjo të jetë prioritet kryesor, bashkë me zhvillimin ekonomik. Sepse nuk mund të hyjmë në Evropë në një derë të pasme aty, duke u kërcënu e duke u shpresu mos po na lënë se jemi problem si Ballkan. Pra duhet të punojmë vërtetë në reformë”, tha ai.

Exit mobile version