Site icon Telegrafi

​11 vjeçarja nga Kosova, arrin rekorde në garat ndërkombëtare të notit

Nxënësja e American School of Kosova, së fundi u kthye me pesë medalje nga garat e notit në Slloveni. Edhe pse vetëm 11 vjeçare dhe ka vetëm 2 vite që merret me sportin e notit, Eda Zeqiri po tregohet shumë e suksesshme në garat brenda Kosovës si dhe në ato jashtë vendit, ku e ka përfaqësuar Kosovën.

Notarja e re, Eda, tha për KosovaPress se ndër sukseset e shumta, ai më i rëndësishmi për të është gara në Podgoricë, ku kishte fituar tetë medalje.

Zeqiri: Suksesi më i madh është ai i Podgoricës

“Kam marrë pjesë në shumë gara, po ashtu në kampionate kam marrë pjesë, në dy kampionate të Kosovës dhe në më shumë se tetë gara ndërkombëtare. Suksesi më i madh në gara ndërkombëtare është ai që kam arritur në Podgoricë, në të cilën kam marrë tetë medalje”, tha ajo.

Përveç çmimeve në Podgoricë, Eda ishte pjesëmarrëse edhe në një garë tjetër në Kranji të Sllovenisë, nga ku u kthye me pesë medalje.

Zeqiri: Kam thyer rekord të Kosovës

“Ka qenë shumë sukses i madh dhe kam thyer një rekord të Kosovës për grup moshat e mia. Po ashtu, kam marrë edhe pesë medalje, 2 të arta, 2 të bronzta dhe një të argjend”, tha Eda Zeqiri.

Sukseset e arritura deri më tani sipas saj janë motiv që ajo të punojë edhe më shumë, me dëshirën që të arrijë edhe të tjera suksese në këtë sport, që ajo e ka me shumë qejf dhe pasion.
 

Exit mobile version