Hafije Rukolli e ndjen ende mërzinë për babanë e masakruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
Ajo, edhe sot në 18 vjetorin e masakrës së Rezallës, kishte dalë për ta përkujtuar babanë e saj Rexhep Rukolli, i cili ishte në mesin e 98 civilëve të masakruar nga forcat serbe, derisa, ende të pagjetur mbesin 14 persona nga ky fshat.
Ajo thotë se nuk kanë çka të bëjnë, por se zemra u dhemb për me të dashurit e tyre të vrarë e masakruar.
Madje, sipas saj, nuk do të ndihen mirë pa u gjetur të gjithë të zhdukurit, të cilët edhe pas 18 viteve vazhdojnë të mos dihet ku janë.
“Kam dhimbje të madhe për babën qe 18 vite, serbët e kanë masakruar në masakrën e Rezallës. Ka edhe tjerë që ende janë të pagjetur por s’po kemi çka me ba. Më dhemb zemra gjithë për babën por s’po kemi çka me ba”, thotë ajo.
Edhe Arif Gashi nga fshati Rezallë, në 18 vjetorin e vrasjes së babait të tij, Ramadan Gashi thotë se ndjen dhembje, por edhe krenari.
Madje, ai kujton edhe bisedat në kohën e luftës që ka pasur me babain e tij, para së të ndodhte masakra.
“Na ndihemi të mërzitur mirëpo edhe ndihemi krenar sepse babai është vrarë për këtë vend për tokë…Sa herë kemi fol në telefon me të gjatë luftës ka qenë i kënaqur dhe çdo herë ka thënë ushtria jonë po rritet. Ka qenë gjatë gjithë kohës me ushtarë. Babai im, familjen Jashari në Prekaz e ka varrosur bashkë me hoxhën, madje shihet nëpër incizime”, theksoi Gashi.
Ai thotë se institucionet e vendit kanë mundur të bëjnë edhe me shumë për gjetjen e të zhdukurve.
Për të nderuar të rënët e masakrës së Rrezallës morën pjesë edhe liderët shtetëror.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se gjenden në Rezallë, për të nderuar dhe përkujtuar viktimat e gjenocidit serbë të kryer para 18 viteve, e njëkohësisht edhe për marr një pjesë të dhimbjes të familjeve të viktimave të fshatit Rezallë.
“Jemi këtu për t’u përulur para viktimave që janë shembulli i dhunës, represionit deri në përmasa të gjenocidit të kryera nga ushtria dhe policia serbe. Për aq sa ndjejmë dhimbje për këto viktima në të njëjtën kohë ndihmi shumë krenar që jemi në vendin epiqendrën e UÇK-së që bëri që vendi ynë të jetë i lirë i pavarur. Ajo luftë ishte shëmbëlltyra më e mirë e bashkimit të shqiptarëve për liri për pavarësi dhe sot kujtojmë edhe të vrarët edhe fëmijë nga ushtria dhe policia deri në njerëzit në moshë të thyer”, tha Thaçi.
Kreu i shtetit nuk la pa përmendur edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës, pa prishur partneritetin me SHBA-të.
“Tani shtetin po e forcojmë, kemi njohje tjera, do të anëtarësohemi në organizata tjera ndërkombëtare, do ta kemi shumë shpejtë në të ardhmen e afërtë, edhe ushtrinë e Kosovës, do ta kemi edhe pjesë të NATO-s, do ta ruajmë edhe partneritetin me SHBA-të”, tha Thaçi.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se armiku ishte i egër dhe nuk kursente askënd, as fëmijët, as gratë, as pleqtë, por edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës në përgjithësi, ishte i vendosur të mos heq dorë, me asnjë çmim, nga ëndrra për liri.
“Nuk ka për popullin tonë asgjë me të shenjtë se përpjekja e luftës tonë për liri, se UÇK-ja, se gjaku i derdhur i luftëtarëve tanë i martirëve tanë. Ndërsa Kosova ka obligime, Kosova ka mbetur ajo që është që të mos i harroj ata, por të punoj çdo ditë për forcimin e shtetit për perspektivën e qytetarëve tanë”, tha Veseli.
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura theksoi se masakra e Rezallës, është dëshmia më e mirë se deri në çmasë kanë shkuar forcat serbe. Ai tha se lufta e UÇK-së është shembulli më i mirë e luftës për liri.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari pati kritika për pushtetarët, duke thënë se ku lihen pas dore kategoritë e luftës, ku nuk punohet sa e si duhet për të pagjeturit, kur keqpërdoret liria e fituar me gjak, kur nuk ka kujdesje institucionale për ata që kanë dhënë aq shumë për lirinë tonë, atëherë ky popull humbë besimin në ata pushtetar.
Derisa, pati një ‘selam’ për gjithë ata që janë kundër bashkimit kombëtar.
“Të vrarët dhe të masakruarit e Rezallës duke rënë gjakun e tyre për liri janë bërë pjesë e idealit të të gjithë brezave të shqiptarëve për bashkimi kombëtar që një ditë do të bëhet. Edhe për inate të pushtuesve tanë të djeshëm, edhe për inate të atyre që na kanë copëtuar në konferenca por edhe për inate të atyre shqiptarëve që u mjafton gjysma duke bërë përpjekje të mashtrojnë historinë se edhe gjysmat bëhen shtet. Shtete kombëtare bëhen vetëm shtetet që kanë gjeografi kombëtare, një gjuhë kombëtare dhe një histori kombëtare”, theksoi Jashari.
Masakra e Rezallës ndodhi me 5 mars ku u masakruan 98 njerëz nga fshatrat, Rezallë, Morinë, Prekaz, Llozicë