Kyle Scott, i cili është Ambasador amerikan në Beograd, përmes një postimi në Twitter, e ka cilësuar turp për Serbinë pasi gjenerali serb i dënuar për krime lufte, Vlladimir Llazareviq, në Ditën e Evropës në Nish e udhëhoqi paradën ushtarake.
“Është turp që një kriminel lufte i dënuar, të marshojë para atyre të cilët po përpiqen t’i nderojnë aleatët të cilët kanë vdekur duke luftuar për drejtësi dhe paqe në Evropë. Dita e Evropës, Vlerat e Evropës”, ka shkruar Scott.
Bëhet e ditur se në paradën e së enjtes në Nish kanë marrë pjesë 4 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë, 300 automjete dhe 40 fluturake, përfshirë edhe dy helikopterë luftarakë me ekipazhe ruse, në ç’mënyrë, siç vlerëson AP-ja, ajo ka demonstruar edhe aleancën më të madhe politike e ushtarake me Moskën.
Duhet kujtuar se Llazareviq, cili ishte ish komandant i korpusit të Prishtinë dhe i Armatës së Tretë gjatë luftës në Kosovë, është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit në Kosovë me 14 vjet burg. Ai u lirua në dhjetor 2015 me kusht, pasi i kaloi më shumë se 10 vjet në burgun e Sheveningenit./Telegrafi/
Sramota je da osuđeni ratni zločinac korača ispred onih koji žele da odaju počast saveznicima koji su umirali boreći se za pravdu i mir u Evropi. Dan Evrope = evropske vrednosti. https://t.co/rQpZcWWwT0
— Ambassador Kyle Scott (@usambserbia) May 10, 2019