Vendimi për ndeshjen Prishtina – Drita do të merret në ora 15:00.
Sot kryesia e Prishtinës dhe Federata e Futbollit të Kosovës patën një takim në stadiumin e kryeqytetit.
Remzi Ejupi, presidenti i klubit kryeqytetas tha se ky takim ishte i tensionuar, dhe Federata assesi nuk po pranon që kjo ndeshje të zhvillohet në Prishtinë.
IndeksOnline, kontaktoi me Arianit Ahmetin, i cili ishte i pranishëm në takimin e sotshëm. Ai përgënjeshtroi presidentin e bardheklatërve, duke thënë se takimi shkoi në rregull, dhe s’kishte momente tensionuese. Ahmeti poashtu thotë se FFK-ja është për “PO”, që kjo ndeshje të zhvillohet në këtë stadium.
“Remzi Ejupi ka gënjye, biseda ka qenë normale dhe jo e tensionuar. Secila palë i ka parashtru idetë e veta. Federata është e pajtimit që ndeshje me u zhvillu në stadiumin e Prishtinës nëse organet tjera kompetente e pranojnë këtë gjë. Së pari vendimin e marrin organet kompetente, pastaj FFK-ja. Federata është që ndeshja me u zhvillu aty. Vendimi final merret në ora 15:00”, tha për IndeksOnline – Ahmeti.
Pas takimit, zyrtari i FFK-së u ofendua rëndë nga pjesëtari i Prishtinës, Avni Durmishi. Për këtë, Ahmeti thotë “Unë nuk fola asgjë, nuk dhashë asnjë intervistë për këtë situatë dhe zyrtari i Prishtinës më ofendoi. Ai më ofendoi para të gjithëve, gazetarëve, kryetarit të Prishtinës të gjithëve”.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohet të dielën nga ora 16:00. Ndërsa, për stadium pritet të merret vendimi sot nga ora 15:00.