Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Momir Gjurevac tha në Londër se Mali i Zi ndihet i turpëruar shkaku i “tri ose katër idiotëve”.
Një javë më parë, Anglia fitoi në Podgoricë kundër malazezëve me rezultat 5-1, në kuadër të xhiros së dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Gjatë ndeshjes ka pasur kore raciste kundër ekipit kombëtar të Anglisë dhe Federata e Futbollit Evropian (UEFA) ka nisur procedura disiplinore kundër Malit të Zi.
Gjurevac, duke folur në një konferencë të UEFA-s për diskriminim në futboll, ka thënë se një numër i zyrtarëve, duke përfshirë presidentin, kryeministrin, ministrin e sportit dhe krerët e Komitetit Olimpik, nuk kanë dëgjuar fyerjet racore ndaj lojtarëve të Anglisë.
Ai gjithashtu tha se gjyqtari nuk e ndërpreu ndeshjen dhe se delegati nuk i dëgjoi fyerjet.
“Nuk them se kjo nuk ndodhi … Për shkak të tre ose katër idioteve, Mali i Zi u vendos në shtyllën e turpit”, tha Gjurevac.
“Të gjithëve do të doja t’iu kërkoja falje që kanë krijuar përshtypje të këqija në Podgoricë. Ne duhet ta lëmë UEFA-n të kryejë punën lirshëm”, shtoi ai.
Ndryshe, Mali i Zi mund të luajë pa shikues në ndeshjes e radhës kundër Kosovës në kuadër të kualifikimeve të Euro 2020. /Telegrafi/