Në të njëjtën ditë Beogradin e vizituan Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, Boris Ruge dhe kreu i Agjencisë amerikane të Inteligjencës CIA-s, William Burns.
Ndërsa vizita e Burnsit kaloi në fshehtësi të plotë, një nga njerëzit kryesorë të Aleancës së NATO-s i përcolli një mesazh të qartë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq – Serbia pritet të ndihmojë në gjetjen e përgjegjësive kryesor për ngjarjet në Kosovë në maj të vitit të kaluar dhe më pas për sulmin e armatosur në Banjskë, i cili ndodhi në shtator të vitit të kaluar, shkruan nova.rs.
Ditë më parë mediat raportuan për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns në këtë pjesë të Ballkanit. Nga Sarajeva, përmes Beogradit, në Prishtinë, drejtori i agjencisë më të fuqishme të inteligjencës në botë u takua edhe me zyrtarë politikë, gjë që, sipas ekspertëve, nuk ishte praktikë deri më tani.
Pas vizitës në Sarajevë, Burns shkoi në Beograd dhe askush nuk e di se me kë u takua dhe për çfarë diskutoi, transmeton Telegrafi.
Është interesante se në të njëjtën ditë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur Boris Ruge, Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Politikë dhe Politikë të Sigurisë.
Vuçiq ka njoftuar publikun për këtë takim përmes llogarisë zyrtare në Instagram, duke thënë se ishte një takim i mirë, ku u diskutuan çështje të rëndësishme, situata në rajon, siguria në Kosovë dhe implikimet e mundshme të lëvizjeve të njëanshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Me një ton disi ndryshe, Ruge foli për takimin me Vuçiqin.
“Ne diskutuam edhe çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e përhershme në Kosovë. NATO pret që Serbia të ndihmojë në gjetjen e përgjegjësve kryesor për aktet e dhunshme në maj dhe shtator të vitit 2023”, tha Ruge.
Kujtojmë se në muajin maj të vitit 2023, huliganët serbë sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, të cilët nuk lejuan të sulmoheshin kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore të Kosovës që hynin në ndërtesat komunale.
KFOR-i më pas raportoi se që nga ardhja e misionit të tyre në Kosovë, numri më i madh i pjesëtarëve të tyre – më saktësisht 93 ushtarë të KFOR-it – janë lënduar në Zveçan.
Disa muaj më vonë, më 24 shtator të po këtij viti, në fshatin Banjskë ndodhi një sulm i armatosur. Atë e ka organizuar ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin e ka pranuar edhe vetë. U vra polici shqiptar, Afrim Bunjaku dhe tre serbë të armatosur.
Është interesant fakti se vizita e Ruges, por edhe e Burnsit vjen në kohën kur u paralajmërua ardhja e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili do të jetë në Serbi më 29 dhe 30 gusht.
Së fundmi, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, tha se “arrestimi i Milan Radoiçiqit është një nga kushtet për vizitën e presidentit francez, Emmanuel Macron në Beograd”.
Po ashtu, pothuajse në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e Serbisë për bashkëpunim në lidhje me rastin Banjskë dhe sigurimin e provave për Milan Radoiçiq.
Në arrestimin e Radoiçiqit ka shpresuar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovinier, i cili paraprakisht ka thënë se pret që Prishtina t’i përgjigjet kërkesës së palës serbe, gjë që nuk ka ndodhur. /Telegrafi/