Site icon Telegrafi

Zyrtarët afganë kundër largimit të trupave amerikane nga Afganistani

Zyrtarët afganë kanë kritikuar ashpër tërheqjen e pakushtëzuar të forcave amerikane nga vendi, të njoftuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, duke i dhënë fund një misioni dekada të gjatë.

“Kjo është gjëja më e papërgjegjshme, egoiste që Shtetet e Bashkuara mund t’u bëjnë partnerëve të saj afganë”, tha negociatori i paqes i qeverisë Afgane në Doha, i cili nuk dëshironte të përmendej me emër.

Ai shtoi se mund të ishte fundi i luftës për Uashingtonin, por që partnerët afganë do të paguajnë çmimin, “Ata mund ta kishin përfunduar këtë më me përgjegjësi dhe me pak më shumë durim”, raporton theguardian.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha gazetarëve të martën se Biden vendosi të tërheqë forcat amerikane nga Afganistani në 11 Shtator, saktësisht në 20 vjetorin e pushtimit të SHBA-së.

Lexo po ashtu Trupat amerikane do të tërhiqen nga Afganistani më 11 shtator

Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin pas sulmit terrorist në Amerikë më 11 shtator dhe përmbysën regjimin Taliban. Është lufta më e gjatë që ka bërë Uashingtoni.

Aktualisht në Afganistan gjenden rreth 10 mijë trupa të NATO-s dhe vendet partnere, të cilat mbështesin një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike duke trajnuar dhe këshilluar forcat e sigurisë në luftën e tyre kundër ekstremistëve islamikë, të tillë si talibanët. /Telegrafi/

Exit mobile version