Klubi nga Gjakova, Vëllaznimi ka prezantuar sot (e shtunë) katër transferime të reja të bërë gjatë mini-afatit kalimtar të janarit, ku të katërtit mbrojtën ngjyrat e Besës së Pejës.
Edhe pse ka përfunduar sezoni vjeshtor dhe skuadrat kanë shkuar në pushim dimëror, disa nga to nuk kanë ndalur punën.
E tillë është edhe skuadra e Vëllaznimit të Gjakovës që sot (e shtunë) gjatë ditës ka zyrtarizuar katër transferime të reja, të ardhura nga Besa, ashtu sikurse edhe trajneri Ismet Munishi.
Zyrtarizimi dhe prezantimi me fanellën e klubit është njoftuar nga vet klubi gjakovar me anë të faqeve të tyre zyrtare.
Fillimisht Vëllaznimi zyrtarizoi transferimin e Samir Sahiti dhe të Vetim Krasniqi.
“Samir Sahiti i cili luan mbrojtës i djathtë i cili ishte pjesë e KF Besa tani ka vendosur ti mbroj ngjyrat kuq e zi të Klubit Gjakovar”.
“Vetim Krasniqi i cili luan sulmues dhe ishte pjesë e KF Besa tash e tutje do të jetë pjesë e klubit kuq e zi”.
Disa orë më vonë, Vëllaznimi zyrtarizoi edhe dy futbollistë tjerë të ardhur nga ekipi pejan, Almedin Muratin dhe Bergin Maliqin.
“Almedin Murati i cili luan sulmues i cili ishte pjesë e KF Besa tani ka vendosur ti mbroj ngjyrat kuq e zi të Klubit Gjakovar, gjithashtu edhe Bergin Maliqi i cili luan mesfushor krahu dhe ishte pjesë e KF Besa tash e tutje do të jetë pjesë e KF Vëllaznimit”, thuhet në njoftimin e klubit gjakovar.
Vëllaznimi dhe presidenti i tyre Agim Cana synojnë rikthimin në Superligën e Kosovës, ndërsa momentalisht renditet në vendin e pestë me 29 pikë apo vetëm dy pikë, respektivisht katër më pak se pozita tre dhe katër që i dërgon në barazh. /Telegrafi/