Vitesse ka nënshkruar me mesfushorin shqiptar Toni Domgjonin për tre sezone, me opsionin edhe për një sezon tjetër.
Shqiptari 22-vjeçar nënshkroi kontratën e tij këtë të martë, ndërsa transferohet falas nga FC Zurich.
Toni Domgjoni ka mbrojtur deri tani ngjyrat e Zvicrës U21, ku ka zhvilluar 18 ndeshje zyrtare.
Domgjoni ka lindur në Kroaci, ndërsa është rritur te moshat e FC Zurich, përpara se të bashkohej me ekipin e parë për sezonin 2017/2018.
Në katër sezonet e kaluara, ai luajti gjithsej 105 ndeshje kampionale. Domgjoni ka luajtur edhe 7 ndeshje në Ligën e Evropës.
“Pas 4 sezonesh dhe më shumë se 120 ndeshjesh për FC Zurich, mendova se ishte koha për një hap të ri. Pas bisedave me Vitessen, pata ndjenjë të mirë. Unë pres që të shkoj në Evropë me klubin dhe të shfaqem mirë në këtë garë”, ka thënë ai pas nënshkrimit. /Telegrafi/