Federata e Futbollit të Brazilit ia ka besuar punën edhe për katër vjet trajnerit aktual, Tite.
Ky i fundit ka zgjatur bashkëpunimin dhe do të jetë në krye të kombëtares deri në vitin 2022, edhe pse nuk arriti suksesin e pritur në Kupën e Botës së zhvilluar në Rusi.
Brazili, një nga favoritët e Botërorit, u eliminua në çerekfinale nga Belgjika (2:1), por megjithatë trajneri mori besimin për të udhëhequr ekipin në turneun tjetër në Katar.
“Federata na ka vendosur kushte për të ndërtuar një mjedis të unitetit dhe profesionalizmit. Kjo është një sfidë e madhe dhe jemi të lumtur që do ta përballojmë atë. Tashmë jemi të fokusuar në ndeshjet dhe garat e ardhshme”, tha Tite.
Ai është trajner i Selecaos që nga gushti i vitit 2016 dhe është interesante se u bë strategu i parë që ka zgjatur kontratën menjëherë pas Kupës së Botës që nga viti 1978.
Theksojmë se 57-vjeçari më parë ka udhëhequr shumë klube në Brazil si Gremio, Corinthians, Palmeiras, Internacionale, si dhe Al Wahda dhe Al Ahlyn në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndryshe, Tite deri më tani e ka udhëhequr Barzilin në 26 ndeshje, ku ka njëzet fitore katër barazime dhe humbje. /Telegrafi/