Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, së bashku me nënkryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Mahmut Çevik, të martën kanë vizituar Organizatën e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren.
Gjatë takimit me komunitetin e të moshuarve ata kanë diskutuar rreth mundësive për përmirësimin e kushteve dhe funksionalitetit të hapësirave të organizatës, duke synuar mbështetje të mëtejshme për pensionistët, raporton Telegrafi.
“Qëllimi i vizitës sonë është që të jemi afër komunitetit të moshuarve. Pas vizitës së fundit këtu kam marrë një detyrë të veçantë pasi pensionistët kanë nevojë për rinovimin e zyrave të organizatës dhe shërbime shëndetësore, dhe bashkë me TIKA-n po bëjmë përpjekje që të gjejmë zgjidhje në mënyrë institucionale lidhur me këto kërkesa”, ka thënë zëvendëskryeministrja Rexhepi.
Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik ka pohuar se me kërshëri ka dëgjuar nga afër problemet dhe kërkesat e organizatës së pensionistëve. Në të njëjtën kohë ka përmendur mbështetjen e TIKA-s në Kosovë në fusha të ndryshme si shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe kultura, teksa ka nënvizuar edhe përkushtimin e agjencisë turke për të përkrahur projektet që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për komunitetin e të moshuarve në Prizren.
Kryetari i Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren, Jusuf Vraniqi ka prezantuar disa nga sfidat dhe kërkesat e organizatës, duke theksuar nevojën për kushte më të mira pune dhe qasje më të mirë në shërbimet shëndetësore. /Telegrafi/