Telegrafi

Zyrtare: Shkëndija bën goditjen e madhe, nënshkruan me Endrit Krasniqin

Endrit Krasniqi ka vendosur ta vazhdojë karrierën te klubi i njohur shqiptar Shëkndija, duke nënshkruar me kuqezinjtë deri në verën e vitit 2025.

Ka qenë klubi i Shkëndijës që ka komunikuar arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Endrit Krasniqi.

“Për Shkëndijën nuk duhet shumë të flitet, është një ndër klubet më të mëdhaja shqiptare dhe shpresoj që të kemi një sezon fantastik dhe të bëjmë gjëra të mëdha”.

“Dihet se Shkëndija organizimin e ka në nivel tjetër në raport me klubet tjera, kështu që neve që punojmë për këtë klub na mbetet të japim maksimumin dhe të arrijmë atë që klubi e ka planifikuar në fillim të sezonit”.

“I detyrohem këtij klubi për besimin e treguar dhe duhet të jap maksimumin që të arrijmë ato objektiva që i kemi,“ është shprehur Endrit Krasniqi.

Endrit Krasniqi cilësohet si mesfushori më i mirë në Superligën e Kosovës në vitet e fundit, ku ka fituar dy herë titullin kampion, fillimisht me Dritën e Gjilanit në vitin 2018 dhe më vonë në 2021 me Prishtinën.

Gjithashtu është fitues dy herë i Kupës së Kosovës, të fundit vetëm dy javë më parë kur mundën në finale Gjilanin.

Karrierën Krasniqi e ka nisur me skuadrën e 2 Korrikut, ndërsa për një kohë ishte në Spanjë me ekipin e të rinjëve të FC Lugo. /Telegrafi/