Telegrafi

Zyrtare: Rashford rinovon kontratën me Unitedin

Ole Gunnar Solskjaer dhe Marcus Rashford (Foto: Manchesster United FC/Twitter)

Manchester Unitedi ka njoftuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me Marcus Rashfordin për nënshkrimin e kontratës së re.

Djajtë e Kuq kanë bërë të ditur se sulmuesi anglez ka nënshkruar kontratën e re që do ta mbajë në klub deri në qershor të vitit 2023. 21-vjeçari që rrjedh nga akademia e skuadrës angleze, ka zhvilluar 170 paraqitje, derisa te Kombëtarja e Anglisë ka bërë 32 sosh.

Rashford ka thënë se ai është shumë i lumtur që ka arritur marrëveshje me Manchester Unitedin për vazhdimin e kontratës.

“Manchester Unitedi ka qenë gjithçka në jetën time që nga koha kur erdha këtu në moshën shtatëvjeçare. Ky klub më ka formuar, si lojtar dhe si person, kështu që është një privilegj i tillë sa herë që kam mundësi të veshi fanellën”, ka thënë talenti anglez.

“Unë dua të falënderoj Ole dhe stafin e tij për gjithçka që kanë bërë për mua; ata janë grupi i përkryer i trajnerëve për të mësuar dhe ndihmojnë në zhvillimin tim”, ka shtuar më tej ai.

Rashford ishte cak i skuadrave si Juventus, Paris Saint-Germain dhe Real Madrid, mirëpo vendosi ta rinovojë kontratën me Manchester Unitedin. /Telegrafi/