Skuadra bardhekaltër sot pas një javë pushim ka rinisur fazën përgatitore për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Evropës.
Dhe në stërvitjen e parë është zyrtarizuar edhe përforcimi i parë, Ergyn Ahmeti.
Mesfushori 21 vjeç, i lindur më 21.12.1995 në Mitrovicë në skuadrën tonë vije nga skuadra e Trepçës. Ahmeti është i gjatë 181 cm dhe luan me këmbë të djathtë në rolin e mesfushorit ofensivë dhe organizator.
Shkollën e futbollit ka përfunduar në Trepçën ’89, por afirmimin ka arritur me Trepçën, së pari duke e promovuar në Superligë pas një viti garash në Ligën e parë 2015/16, e pastaj është vlerësuar si futbollisti më i talentuar dhe më i miri i Trepçës në edicionin e sapo përfunduar ku ka shënuar 5 gola dhe ka asistuar në 7 sosh.
“Për Prishtinën nuk kam pasur dilema ta zgjedh, është klubi më i trofeshëm dhe më i madhi në Kosovë. Besoj se kam vepruar shumë mirë që kam ardhur në Prishtinë me të cilën patjetër që synojmë trofe, pra titullin e kampionit dhe të përfaqësohemi sa më mirë në Evropë. Ndërsa, nuk jam tip që i frikësohem konkurrencës, përkundrazi ajo është e mirë dhe të shtyn të japësh maksimumin nga vetja”, ka thënë Ergyn Ahmeti.
Trajneri Thaqi e sheh Ergyn Ahmeti si lojtar me perspektivë të madhe.
“Ergyn Ahmeti në sezonin e sapo përfunduar ka qenë ndër lojtarët më të mirë të Trepçës. Lojtar i ri dhe me shumë perspektiv”.
“Normalisht, prej të gjithë atyre futbollistëve më përvojë që do të marr Prishtina, në mesin e ekipit do të jenë edhe lojtar të ri me perspektiv. Pra, do të krijojmë një bazë të mirë që Prishtina për dhjetë vitet e ardhshme të jetë ekipi që ka qenë edhe në të kaluarën”, ka thënë shefi i shtabit teknik, Arsim Thaqi.