Telegrafi

Zyrtare: Ismet Munishi emërohet trajner i Vëllaznimit

Vëllaznimi që është kthyer në Superligë ka emëruar për trajner Ismet Munishin.

Lajmi është konfirmuar nga ueb faqja e klubit gjakovar.

“Nënkryetrari Bekim Gashi në këto momente ka bërë me dije se ka bërë marrëveshje me Ismet Munishin për sezonin 2017/2018 që të jetë trajner i FC Vëllaznimi”.

“Ismet Munishi ka vendosur të kthehet në Gjakovë, por jo si lojtarë ku ishte pjesë e Vëllaznimit në sezonin 2007/2008, ku në Vëllaznim ai e përmbylli karrierën si lojtar, tani më ai ka vendosur të jetë Trajner i Klubit kuqezi”, thuhet në njoftimin e klubit.

Munishi ka qenë trajner i Llamkos Kosovës ku u shpall edhe kampion, ndërsa ka drejtuar edhe Hajvalinë dhe Dritën.

Nga kjo e fundit ai nuk ishte larguar mirë pas një video skandali ku u dënua edhe 6 muaj mos paraqitje në ndeshje zyrtare.

Dënimi i tij është ulur në tre muaj dhe ai do të jetë i gatshëm për sezonin e ri. /Telegrafi/