Telegrafi

Zyrtare: Ish-ndihmës trajneri i Sivassporit, Rexhepi merr drejtimin e Llapit

Llapi për herë të tretë brenda këtij sezoni është bërë me trajner të ri.

Llapjanët gjatë ditës së djeshme kanë njoftuar se kanë ndërprerë me marrëveshje bashkëpunimin me Bakim Shotanin.

Ky i fundit një ditë pas largimit, podujevasit përmes një konference për media kanë zbuluar edhe emrin e strategut të ri që do ta drejtoj klubin në vazhdim të kampionatit të Kosovës.

Bëhet fjalë për trajnerin e njohur shkupjan, Xhengis Rexhepi, i cili ka udhëhequr disa klube në Maqedoni.

“Për mua është nder të jep pjesë e klubit të Llapit duke marrë parasysh se çdo ditë e më tepër po bëhet më profesional dhe synon titullin e kampionit dhe të dal në garat evropiane. Ka pasur oferta nga shumë klube kosovare dhe maqedonase, por këmbëngulësia e kryesisë së Llapit më bindi që ta marr detyrën në këtë klub”, tha ndër të tjerash Rexhepi.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth KF Llapit

Ai ka qenë edhe ndihmëstrajner në skuadrën turke të Sivasporit si dhe pozitën e njëjtë e ka ushtruar edhe te kombëtarja e Maqedonisë.

Ndryshe, Llapi kampionatin e kishte filluar me trajnerin Bylbyl Sokoli, për ta vazhduar më tej me Shotanin. /Telegrafi/