Site icon Telegrafi

Zyrtare: Ernest Gjoka bëhet trajner i Shkëndijës

Foto: KF Shkëndija.com

KF Shkëndija ka njoftuar edhe zyrtarisht se e ka emëruar në postin e trajnerit, Ernest Gjokën.

Strategu 49-vjeçar nga Tirana ka firmosur kontratë profesionale me kuqezinjtë dhe menjëherë pas zyrtarizimit do të fillojë punën me seancën e parë stërvitore të caktuar sot pas dite.

Gjoka ka thënë se ka marrë drejtimin e Shkëndijës, pasi është një klub që ka bazë të fortë dhe dëshiron të ketë suksese me skuadrën.

Foto: KF Shkëndija.com

“Mendoj se kam ardhë në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Ligën e Evropës, të kap grupet e Ligën e Evropës apo pse jo edhe Ligën e Kampionëve“, ka thënë Gjoka pas prezantimit te Shkëndija.

Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi ka drejtuar Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë. Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner ka punuar edhe me Vllazninë e Shkodrës, Kamzën, Flamurtarin e Vlorës, Tomorin dhe Apoloninë.

Shkëndija më tej ka falënderuar edhe  Erhan Selimin për kontributin dhe rezultatet pozitive gjatë periudhës si ushtrues i detyrës së trajnerit. /Telegrafi/

Exit mobile version