Telegrafi

Zvicra fiton me rezultat bindës ndaj Gjibraltarit në kualifikimet për Euro 2020

Zvicra e ka mposhtur Gjibraltarin me rezultat 4-0 në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Golin e parë për ‘Helvetikët’ e ka shënuar Denis Zakaria në minutën e 37-të nga asistimi që pranoi nga Granit Xhaka.

Zviceranët vazhduan me presion të lartë ndaj mysafirëve, derisa golin e dytë e realizoi Admir Mehmedi (43’), pas asistimit që pranoi nga Fabian Schar.

Gjashtë minuta më vonë, Zvicra e trefishoi epërsinë me anë të Ricardo Rodriguez, e që me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Pjesa e dytë ishte përsëri e dominuar nga vendasit, ndërsa në minutën e 87-të, Marko Gavranovic e shënoi golin e fundit për Helvetikët, për t’i fituar kështu tri pikë të reja.

Irlanda është lider i Grupit D me 11 pikë, të ndjekur nga pas prej Danimarkës me nëntë, Zvicra me tetë, Gjeorgjia me katër dhe Gjibraltari ende pa pikë. /Telegrafi/