Zvicra e ka mposhtur Turqinë me rezultat 3-1 në kuadër të rrethit të tretë në Grupin A në kuadër të Euro 2020.
Pas vetëm gjashtë minutash lojë, Helvetikët kaluan në epërsi me anë të Haris Seferovic, që u asistua nga Steven Zuber.
Zviceranët morën zemër dhe filluan të luajnë me një komoditet më të madh përpara.
Kjo gjë dha rezultat, pasi shënuan edhe golin e dytë përmes Xherdan Shaqirit (26’) që lëshoi një goditje të fuqishme, pas një shërbimi mjaft të mirë nga Zuber.
Pak minuta më pas, lojtari shqiptar lëshoi një rast të artë për të shënuar edhe golin e tretë dhe të dytin personal, por që goditja e tij u ndal nga Ugurcan Cakir i Turqisë.
Edhe turqit kishin shanset e mira, duke rrezikuar me anë të Mert Muldur, mirëpo Yann Sommer bëri pritej brilante.
45 minutat e dytë filluan më mirë për Turqinë, që arriti të shënonte për 2-1 me anë të Irfan Kahvecit (62’).
Por, kaluan vetëm gjashtë minuta nga goli i tyre dhe Shaqiri lëshoi një tjetër goditje të fuqishme, duke realizuar për 3-1, dhe i dyti i tij personal në ndeshje.
Granit Xhaka kishte mundësinë të shënonte në këtë takim, mirëpo shtylla nga gjuajtja e lirë i mohoi një gjë të tillë.
Italia ka kaluar Grupin A me nëntë pikë, po ashtu edhe Uellsi me katër, aq sa ka edhe Zvicra por me gol dallim më të dobët, gjersa Turqia nuk mori asnjë pikë. /Telegrafi/