Site icon Telegrafi

ZRRE-ja e shtyn afatin për ofrimin e komenteve në lidhje me tarifat e reja të energjisë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka njoftuar se është zgjatur afati për ofrimin e komenteve deri më 31 janar, lidhur me raportet e publikuara për konsultim publik.

ZRRE thotë se këtë vendim e ka marrë për shkak të interesim të madh të palëve për të ofruar komente.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente në raportet e publikuara për konsultim publik: Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal, të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe Raportin Konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë, ka vendosur që të zgjatë afatin për ofrimin e komenteve deri me datë 31 janar 2022 deri në 16:00h”, thuhet në njoftim.

Palët që dëshirojnë të shprehin komentet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org.

Edhe kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se Qeveria do të dërgojë komente në ZRRE në lidhje me propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike te qytetarët e Kosovës ka shkaktuar konfuzion.

Disa protesta tashmë janë organizuar kundër këtij vendimi, derisa të tjera janë paralajmëruar javëve në vijim./Telegrafi/

Exit mobile version