Poezi nga: Primo Shllaku
Zotnij e zonja,
i kam këndue dashunisë.
Më falni, zotnij e zonja,
nëse i këndova dashunisë.
Dashunia nji ditë
ishte nji zotni e nji zonjë
që nuk dinin me i këndue dashunisë.
U bana goja e ksaj zonje
e zani i ktij zotnie
që dashunia e tyne të këndohej.
Përsëri falje kërkoj prej jush,
zotnij e zonja,
se hyna mes njerëzish që puthen
që heshtin
e që s’paskeshin nevojë
që dashunia e tyne të këndohej.
Besomëni sinqerisht
se kur mora vesht
që dashunia nuk këndohet,
i kisha harxhue të tana rrokjet,
të tana rimat,
të tana hojet.
Ai zotnia i parë
bashkë me zonjën e parë
e kishin jetue dashuninë
e çdo kangë për ta ish e padobi.
Më rrofshin mue,
zotnij e zonja,
kta vargmale kangësh,
kto këneta kangësh,
kjo piano e braktisun në shi
që luen për vete
pa spektatorë
e pa pianist.
Zotnij e zonja,
urdhnoni që të bjerë sipari,
andej në platé të rrinë dashunitë e bame,
ktej, mbrenda tij, dashunitë e këndueme.
Më falni edhe nji herë,
këtë herë për të parafundit …